Televizioni NEWS 24 ka filluar transmetimet e para në vitin 2002 fillimisht në nivel lokal, për të kaluar më pas me shtrirje në rreth 85% të territorit të Shqipërisë. “TV News24” është shtylla e grupit mediatik “Focus Group”. Ai ka ecur me hapa të shpejtë, duke zënë një vend të rëndësishëm në lëmin e televizioneve më të mirë në Shqipëri. Faktorët që kanë ndikuar në rritjen e shpejtë, kanë qenë forma e veçantë se si është ideuar ky televizion dhe niveli i lartë profesional i stafit drejtues. Investimet e bëra së fundmi kanë qenë një hap i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së transmetimit, me parametra të lartë, duke e bërë “News24” televizionin e vetëm me transmetim FULL HD.

Ky televizion transmeton në kanalin 42uhf, me një transmetues tejet modern të teknologjisë më të fundit bashkëkohore, duke garantuar për audiencën e vet, nivel të lartë të cilësisë së figurës dhe zërit. Programet tona janë ndër më të ndjekurat dhe më të admiruarat në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Marrëveshjet me platformën dixhitale dhe televizionet lokale bëjnë të mundur që televizioni “News24” të ketë shikueshmëri 100% në territorin shqiptar. Prioriteti i “News24” është LAJMI, si dhe programet e tjera, të cilat sigurojnë audiencë të gjerë nga të gjitha grupmoshat. Sondazhet më të fundit kanë sjellë një rikonfigurim të tregut të mediave në Shqipëri, ku padyshim “News24” renditet si zgjedhja e parë e publikut vendas sa i përket lajmit dhe ndër vendet e para për të gjithë programacionin e tij.

Nga sondazhet që janë bërë nga institucione që merren me statistika të tilla vërehet se televizioni “News24” ndiqet nga 80% e biznesit dhe 70% e popullsisë sidomos ajo aktive. Emra të njohur të gazetarisë shqiptare janë pjesë e stafit organik të lajmeve. Përvoja e tyre bashkohet me vërtetësinë dhe objektivitetin që ofrohet përmes edicioneve të përditësuara informative të “News 24”, duke qëndruar larg klaneve, njëanshmërisë apo grupeve të caktuara politike. Aktualisht “News24”, numëron qindra punonjës, bashkëpunëtorë informativë të shpërndarë në të gjithë vendin, të cilët mundësojnë në kohë reale, përcjelljen e lajmeve me burime të sakta, të shpejta dhe objektive. Falë frymës së bashkëpunimit brenda të njëjtit grup, vlen të përmendet mbështetja që stafi i “Gazetës Shqiptare” ofron në këtë media vizive, si pjesë e grupit mediatik “Focus Group”.

Emisione dhe dokumentarë të ndryshëm, pasqyrojnë dukuri kulturore e sociale me ndjeshmëri të lartë në publik. Formatet në fjalë u vijnë në ndihmë shikuesve në zgjidhjen e problematikave, japin informacion, ndërgjegjësojnë publikun për tematika të ndryshme sociale në vend, pa përjashtuar emisionet argëtuese, të cilat ofrojnë atmosferë krejt ndryshme nga rutina e përditshmërisë. Të gjitha këto emisione janë vlerësuar edhe nga kritika për notat realiste që japin dhe tematikat e pasura. Disa nga programet janë: “Koha për t’u zgjuar”, “Vila 24”, “Klinika 24”, “Të bësh ekonomi”, “Njerëz në Fokus”, “Xhungla”, “Panteon”, “Në tempull”, “Arratia e peshkut të kuq”, “Studio e hapur”, “Kaktus”, “Fair Play”, “Natë me Xhaxhiun”, “Me zemër të hapur” etj.

www.balkanweb.com/news24/news24_live.php