Standartet, Sinergjia dhe Punonjesit

“Hysenbelliu Group” ka zgjedhur të zhvillohet nëpërmjet aplikimit të standardeve më të larta në të gjitha fushat ku operon. Prirja dhe këmbëngulja jonë për të ofruar cilësi dhe inovacion është vlerësuar nga klientët dhe nga tregu, duke na dhuruar motivimin për të bërë gjithmonë e më shumë drejt realizimit të projekteve të reja edhe më ambicioze për të ardhmen.

Shoqëritë e grupit tonë funksionojnë dhe zhvillohen falë mbështetjes, sinergjisë dhe shkëmbimit të përvojave. Të qenit Grup kompanish, të cilat operojnë në fusha të ndryshme krijon mundësinë që të gjitha shoqëritë tona të kenë mbështetje menaxheriale, ekspertize financiare etj.


Mjedisi dhe komuniteti


Filozofia e aplikimit të standardeve të larta në “Hysenbelliu Group” ka në themel etikën, respektimin e vlerave, përgjegjshmërinë maksimale për punonjësit, klientët, partnerët, furnitorët, komunitetet dhe mjedisin ku operojnë shoqëritë tona. Investimi ynë në produktet e konsumit, në edukim, në media, në sektorin e ndërtimit etj. ka në thelb trajtimin me shumë kujdes e me prirje drejt zhvillimit të komunitetit, duke ofruar vëmendje maksimale, që aktiviteti ynë të mos ketë ndikime negative mbi mjedisin dhe shoqërinë tonë. Ky është një angazhim i yni, jo vetëm për të tashmen, por edhe për brezat e ardhshëm.

Diversifikimi dhe Zgjerimi


“Hysenbelliu Group” i konsideron punonjësit si vlerë mjaft e rëndësishme për zhvillimin e të gjitha kompanive të saj. Punonjësit janë përzgjedhur me mjaft kujdes, bazuar mbi integritetin e lartë dhe kërkesat ambicioze që ata kanë dhe që i kërkon puna në grup. Si një ndër punëdhënësit privat më të mëdhenj në vend, me një portofol investimesh mjaft të ndryshme nga njëra-tjetra, Presidenti i kompanisë ka ndjekur me vëmendje të veçantë politika të tilla, ku punonjësit mund të marrin prioritet brenda shoqërive të Grupit.

Historiku

Rruga Jone drejt Suksesit

1994
Presidenti i kompanisë Z. Irfan Hysenbelliu në bashkëpunim me partnerë nga Izraeli i dha udhë biznesit privat, fillimisht në fushën e tregtisë me importimin e produkteve ushqimore.
1995
Kompania e Ndërtimit “Erjoni” sh.p.k filloi aktivitetin e saj tregëtar në fushën e ndërtimit në Tiranë, për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin.
1997
U krye me sukses privatizimi i një nga shoqërive më të mëdha me kapital shtetëror, të prodhimit të mjeteve mësimore, “ALB-MS 97” sh.a.
2001
Z. Irfan Hysenbelliu arriti të bashkonte 10 biznesmenë shqiptarë për të realizuar me sukses privatizimin e shoqërisë “Birra Tirana sh.a.”. Nën drejtimin e z. Hysenbelliu, birra “Tirana” u kthye në birrën më të suksesshme në tregun shqiptar. Pas një përvoje disavjeçare si CEO i shoqërisë “Birra Tirana”, z. Hysenbelliu vendosi të shesë aksionet e tij nga “Birra Tirana” dhe të blejë 100 % të aksioneve të Birra Korça sh.p.k.”, të cilat vazhdon t’i zotërojë ende.
2002
Kantina e verës “Egnatia” filloi aktivitetin e saj në qytetin e Elbasanit me një kapacitet të lartë prodhimi, më i madhi në vend, i pajisur me teknologjinë më moderne të prodhimit.
2002
Z. Irfan Hysenbelliu i hapi udhën një investimi serioz në fushën e medies së shkruar, duke regjistruar shoqërinë mediatike “Panorama Group” sh.a, e cila përfshin: gazetën “Panorama”, gazetën “Panorama Sport”, revistën “Psikologjia” si dhe revistën “Grazia”.
2004
Blihet shoqëria “Birra Korça” sh.p.k e themeluar që në vitit 1928, fabrika e së cilës iu nënshtrua një rikonstruksioni të plotë me një investim mbi 15 milion Euro.
2010
Kompania “Egnatia Group” sh.a shtriu aktivitetin e saj edhe më gjerë duke u përfshirë edhe në sektorin e ndërtimit. Kjo shoqëri ka qenë investitore në komplekse të ndryshme banimi në Tiranë dhe disa qytete të rëndësishme të Shqipërisë.
2011
Krijohet shoqëria “Focus Group” sh.p.k. e cila realizoi suksesshëm blerjen e grupit mediatik që përfshin “News 24”, “Gazeta Shqiptare”, “Balkanweb” si dhe “Radio RASH”.
2011
Në këtë vit, SHLUJP “Universiteti Luarasi” do t’i bashkohej portofolit të investimeve të grupit, duke sjellë brenda tij jo vetëm një diversifikim në sektorin e edukimit, por dhe një emër të madh në sistemin akademik në Shqipëri.
2013
ALB-MS 97 sh.a bëhet partner në ndërtimin e kompleksit të ri të quajtur “Tirana Golden Park”.
2013
Revista “Grazia” një emër i njohur në tregun evropian të revistave, u regjistrua si pjesë e “Hysenbelliu Group” si e vetmja revistë me patentë ndërkombëtare në Shqipëri.
2014
Uji natyral oligomineral “Fab” hyri në treg në pranverën e vitit 2014 si një nënprodukt i “Birra Korça”. Lule Fabiola (në Latinisht Triteleia laxa) i dha emër dhe imazh këtij produkti të ri.
2014
Një risi e rëndësishme në fushën e hoteleri-turizmit në Tiranë ishte dhe hapja e “Hotel Prestige”.
2014
U hap si nje risi “Restorant Prestige” nga “Hysenbelliu Group” në fundvitin 2014. Brenda një kompleksi mahnitës, me të gjithë elementët e luksit të dëshiruar, gjendenvila tri-katëshe, ku gjithkush ka kënaqësinë të shijojë kuzhinën më të veçantë dhe më prestigjioze të përfaqësuar nga shefa kuzhine me përvojë perëndimore.
2020
‘Birra Tirana’ bëhet pjesë e familjes së madhe ‘Hysenbelliu Group’. Presidenti i grupit, zoti Irfan Hysenbelliu është tashmë aksioneri kryesor i birrës Tirana me kuotat më të mëdha të aksioneve.

Fjala e Presidentit

Të prekësh ëndrrën e gjithkujt: “Të krijosh një biznes të suksesshëm” përmes një intuite të veçantë, inisiativës mbresëlënëse dhe me largpamësinë për të krijuar frutet e ardhshme.
Të krijosh kështu, hap pas hapi, një perandori të konsoliduar tashmë me emrin “Hysenbelliu Group”.

Biznesi duhet të jetë më shumë instikt, nuhatje. Ndonjëherë vendimet duken të çuditshme, ndoshta edhe pak të çmendura, por në fund, risku sjell edhe suksesin. Duke pasur parasysh këtë kosto, kam nisur punën për të ngritur “Hysenbelliu Group”, duke e shndërruar nga një biznes të vogël në një kompani me një portofol biznesesh të ndryshme, që sot, duke lënë modestinë mënjanë, mund të themi se janë lider në treg.

Të bësh biznes në Shqipëri nuk është e thjeshtë dhe kjo ka kërkuar që nuhatja të jetë më e fortë dhe risku, pse jo, edhe më i madh. Frika për dështim zvogëlohet kur rritja vjen gradualisht, ashtu siç ka ardhur për grupin që unë drejtoj.

Sot “Hysenbelliu Group” nuk gjendet këtu ku është thjesht si një rastësi e fatit, por si produkt i një pune të palodhur dhe mësimeve të nxjerra rrugës. Pjesë e “Hysenbelliu Group” janë disa kompani që operojnë në sektorë të ndryshëm, duke filluar që nga industria e pijeve e deri te media e shkruar, ajo elektronike, hoteleri-turizëm apo sektori i ndërtimit. Të gjitha janë ndërtuar me një vizion të qartë për misionin që do të kenë, si dhe me strategji të mirëmenduar për zhvillimin dhe arritjen e objektivave. Vizioni i secilës prej këtyre kompanive me zë në vend, integrohet në një të përbashkët me “Hysenbelliu Group”, i cili ka në qendër të tij konsumatorin dhe idenë fikse se në gjithçka që është bërë deri më sot, ka vend për përmirësim. Kjo është edhe pika jonë e fortë.

Ne besojmë se pjesën më të madhe të energjive duhet ta investojmë tek ato që kemi ndërtuar, duke i përmirësuar dhe njehsuar me cilësinë që tregu kërkon. Ne kërkojmë më të mirën, cilësinë dhe performancën më të realizuar me standardet më të larta të kohës moderne. Por, mes gjithë kësaj, lëmë vend edhe për risitë. Jemi të fokusuar në mënyrë konstante në sektorë kyç, që janë të integruar me njëri-tjetrin, ku bashkimi i secilës hallkë duhet të na japë në fund si produkt një zinxhir funksional për tregun.

Në vizionin tonë, e nesërmja nuk është një ditë tjetër mbijetese në treg, por një mundësi më shumë për t’u rritur, zhvilluar dhe për t’i dhënë hov ideve që i shërbejnë jetës së komunitetit, jetës së çdo shqiptari.

Irfan Hysenbelliu